brightness_1
Çfarë të them në lutjen time?
Një mësim i dobishëm: Ndoshta dikush mund të pyesë: Çfarë të them në lutjen time?
Përgjigjja është: Lutju Allahut për të mirat që dëshiron prej kësaj bote dhe botës tjetër. Në lutjen tënde kujdesu të thuash fjalë lakonike (shprehu me pak fjalë, shkurt e në mënyrë të prerë). Të këtilla janë lutjet e transmetuara në Kuran dhe në Traditën Profetike. Këto lutje përfshijnë mirësitë e kësaj bote dhe të botës së amshueshme. Medito rreth këtyre lutjeve. Kur u pyet Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) për mënyrën e të luturit, ai u përgjigj me fjalë madhështore. Tregoi formën më të mirë të lutjes, që i siguron muslimanit mirësitë e të dyja botëve: të dynjasë dhe Ahiretit. Vërtet, kjo përgjigje është një sihariq i madh për gjithë ata që i dëshirojnë këto dhunti e begati. Prandaj medito rreth këtyre fjalëve dhe përmbaju atyre.
Ebu Malik el-Eshxhai, transmeton nga babai i tij (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!), se i ka treguar që një burrë shkoi te Profeti(Paqja e Allahut qoftë mbi të!) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, çfarë të them kur t’i lutem Zotit tim? ” Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) e mësoi: “Thuaj:
اللَّهُمَّ اغْفِرْ لِي , وَارْحَمْنِي , وَعَافِنِي , وَارْزُقْنِي
ʻALL-LLAHUM-ME-GFIRLI, UERȞAMNII, UE ĂFINI, UERZUǨNI!
O Allah falmë, mëshiromë, jepmë mirëqenie (më mbro) dhe furnizomë!’- duke i bashkuar gishtat e tij, përveç të madhit: ʻVërtet, në këto fjalë janë të gjitha mirësi të kësaj botë dhe të botës tjetër (që ti kërkon).’” (Transmeton Muslimi nr. 2697)
Në një tjetër transmetim të Muslimit përmendet: “Personit që hynte në Islam, Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ia mësonte namazin dhe pastaj e urdhëronte të lutej me këto fjalë: ʻALL-LLAHUM-ME-GFIRLI, UERȞAMNI, UEHDINI, UE ĂAFINI, UERZUǨNI / O Allah falmë, mëshiromë, udhëzomë, jepmë mirëqenie (mbromë) dhe furnizomë!’” (Transmeton Muslimi nr. 2697)