Bazohet në hadithin e Ebu Musës (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të publikuar në “Es-Sahihani” (Sahihu El-Bukhari dhe Sahihu Muslim). Në këtë hadith transmetohet historia e Ebu Musës me xhaxhanë e tij, Ebu Amirin (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ebu Musa tregon se kur Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) e dërgoi atë (Ebu Amirin) në krye të ushtrisë së Eutasit (që e ka marrë emrin nga lugina (Eutas) ku u zhvillua beteja). Në hadith tregohet se Ebu Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) para se të vritej e porositi Ebu Musën (Allahu qoftë i kënaqur me të!) t’i çonte selam Profetit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) dhe t’i thoshte të lutej për të. Ebu Musa thotë: “Ia tregova Profetit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) për Ebu Amirin. Pastaj i thashë se Ebu Amiri më porositi, të të them t’i lutesh Allahut për të, që ta falë. I Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) kërkoi t’i sillnin ujë; mori abdes; pastaj ngriti duart dhe më pas tha: “O Allah, fale Ubejdin (Ubejd ibn Selim ibn Hadar el-Esh’ari), Ebu Amirin (pseudonimi i Ubejdit)!” Profeti i ngriti duart aq lart, saqë pashë bardhësinë e sqetullave të tij. Pastaj tha: “O Allah, bëje të jetë më lart se shumë prej krijesave të Tua në Ditën e Gjykimit.” (Transmeton Bukhariu nr. 4323 dhe Muslimi nr. 2498)
Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!), thotë se Umer ibn el-Khatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka biseduar me mua dhe më ka thënë se ditën e (betejës së) Bedrit i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) vështroi tek idhujtarët të cilët ishin një mijë dhe te shokët e tij ishin treqind e nëntëmbëdhjetë burra. Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) iu drejtua Kiblës, pastaj ngriti duart dhe filloi t’i lutej Zotit të tij me zë: “O Allah, përmbushe atë që më ke premtuar! O Allah, sille atë që më ke premtuar! O Allah, nëse e asgjëson këtë grup prej njerëzve të Islamit (muslimanët), nuk do adhurohesh në Tokë!” Ai vijoi t’i lutej Zotit me zë, me duart e ngritura kah qiellit dhe i drejtuar nga Kibla, aq sa i ra mëngorja nga supet. Sakaq, erdhi Ebu Bekri, e mori mëngoren; ia hodhi përmbi supet; pastaj i qëndroi nga pas dhe i tha: ‘O Profet i Allahut, të mjafton kjo lutje drejtuar Zotit tend. Ai do ta përmbushë premtimin që të ka dhënë.” (Transmeton Muslimi nr. 1763)
Bazohet në transmetimin që publikon Et-Tirmidhi, nga Fudale ibn Ubejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: “Ndërkohë që i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ishte ulur në xhami, hyri një burrë dhe u fal, duke thënë: ʻALL-LLAHUM-ME-GFIRLI UERȞAMNI / O Allah, falmë dhe mëshiromë!’ Sakaq, i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) tha: ʻO ti namazli, u nxitove. Kur të falesh (të mbarosh së faluri) dhe të ulesh (për t’u lutur), falënderoje Allahun, ashtu siç e meriton Ai, pastaj dërgo salavate për mua dhe pastaj lutju Atij.’” (Transmeton Et-Tirmidhi nr. 3476; Albani, në “Sahihu el-xhamia” vëll. 1, fq. 172, thotë se hadithi është sahih / i vërtetë.)
Prej emrave të bukur të Allahut zgjidhen ato që përshtaten dhe përputhen me kërkesat e lutësit. Kështu p.sh.: nëse i kërkon Allahut Lavdiplotë rizk (furnizim), thotë: “O Furnizues!”; nëse i kërkon Allahut të Lartësuar mëshirë, thotë: “O më Mëshiruesi i mëshiruesve!”; nëse i kërkon Allahut të Lartësuar lavdi (triumf), thotë: “O i Plotëfuqishëm!”; nëse i kërkon Allahut të Lartësuar falje, thotë: “O Falës!”; dhe nëse i kërkon Allahut të Lartësuar shërim, thotë: “O Shërues!”.
Dhe kështu me radhë. I lutet Allahut me emrin e Tij të bukur, që përshtatet me lutjen që bën; bazuar në thënien e Allahut të Lartësuar:
{وَلِلّهِ الأَسْمَاء الْحُسْنَى فَادْعُوهُ بِهَا}
“Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to…” (El-Araf: 180)
Për këtë tregon hadithi i mëparshëm i Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ku Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) thotë: “O Allah, përmbushe atë që më ke premtuar! O Allah, sille atë që më ke premtuar!” Ai vijoi t’i lutej Zotit me zë, me duart e ngritura kah qiellit dhe i drejtuar nga Kibla, aq sa i ra mëngorja nga supet. Sakaq, erdhi Ebu Bekri, e mori mëngoren; ia hodhi përmbi supet; pastaj i qëndroi nga pas dhe i tha: “O Profet i Allahut, të mjafton kjo lutje drejtuar Zotit tend. Ai do ta përmbushë premtimin që të ka dhënë.”(Transmeton Muslimi nr. 1763)
Po kështu, (për këtë tregon) transmetimi i ardhur në “Es-Sahihani” (Bukhariu dhe Muslimi), nga hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kur Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) u lut për fisin Deus, duke thënë: “O Allah, udhëzoje Deusin dhe silli ata! O Allah, udhëzoje Deusin dhe silli ata (në Medine, qasi në rrugën e muslimanëve)!” (Transmeton Bukhariu nr. 2937 dhe Muslimi nr. 2524)
Gjithashtu, (për këtë tregon) transmetimi i ardhur në “Sahihun e Muslimit”, në (fragmentin): “Ai burri bëri një udhëtim të gjatë, me flokë të shpupuritur dhe i pluhurosur, i drejtoi duart kah qiellit, (duke thënë): ‘O Zot, o Zot!’” (Transmeton Muslimi nr. 1015)
Përsëritja e lutjes është gjithashtu tregues i këmbënguljes së lutësit.
Është e pëlqyer që lutja të përsëritet tre herë. Bazuar në hadithin e Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të transmetuar në “Es-Sahihani” (Bukhariu dhe Muslimi), ku vjen: “Kur ai lutej, e përsëriste kërkesën tre herë; dhe kur kërkonte diçka (përmes lutjes), e përsëriste kërkesën tre herë.” Pastaj Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) tha: “O Allah, dënoi kurejshët (jobesimtarë)!” Këtë e tha tre herë. (Transmeton Bukhariu nr. 240 dhe Muslimi nr. 1794)
Bazohet në thënien e Allahut të Lartësuar:
{ادْعُواْ رَبَّكُمْ تَضَرُّعاً وَخُفْيَةً}
“Lutjuni Zotit tuaj përulshëm dhe fshehurazi.” (El-Araf: 55) Fshehja e lutjes është më pranë sinqeritetit, prandaj Allahu i Lartmadhëruar e lavdëroi Zekerian (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), duke thënë:
{إِذْ نَادَى رَبَّهُ نِدَاء خَفِيّاً}
“Kur ai e thirri Zotin e vet me lutje të fshehtë” (Merjem: 3) Sipas mendimeve të imamëve të tefsirit (nga komentuesit më të mëdhenj të Kuranit), kjo mënyrë e të luturit është shenjë e sinqeritetit.
Një mësim i dobishëm: Ndoshta dikush mund të pyesë: Çfarë të them në lutjen time?
Përgjigjja është: Lutju Allahut për të mirat që dëshiron prej kësaj bote dhe botës tjetër. Në lutjen tënde kujdesu të thuash fjalë lakonike (shprehu me pak fjalë, shkurt e në mënyrë të prerë). Të këtilla janë lutjet e transmetuara në Kuran dhe në Traditën Profetike. Këto lutje përfshijnë mirësitë e kësaj bote dhe të botës së amshueshme. Medito rreth këtyre lutjeve. Kur u pyet Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) për mënyrën e të luturit, ai u përgjigj me fjalë madhështore. Tregoi formën më të mirë të lutjes, që i siguron muslimanit mirësitë e të dyja botëve: të dynjasë dhe Ahiretit. Vërtet, kjo përgjigje është një sihariq i madh për gjithë ata që i dëshirojnë këto dhunti e begati. Prandaj medito rreth këtyre fjalëve dhe përmbaju atyre.
Ebu Malik el-Eshxhai, transmeton nga babai i tij (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!), se i ka treguar që një burrë shkoi te Profeti(Paqja e Allahut qoftë mbi të!) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, çfarë të them kur t’i lutem Zotit tim? ” Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) e mësoi: “Thuaj:
اللَّهُمَّ اغْفِرْ لِي , وَارْحَمْنِي , وَعَافِنِي , وَارْزُقْنِي
ʻALL-LLAHUM-ME-GFIRLI, UERȞAMNII, UE ĂFINI, UERZUǨNI!
O Allah falmë, mëshiromë, jepmë mirëqenie (më mbro) dhe furnizomë!’- duke i bashkuar gishtat e tij, përveç të madhit: ʻVërtet, në këto fjalë janë të gjitha mirësi të kësaj botë dhe të botës tjetër (që ti kërkon).’” (Transmeton Muslimi nr. 2697)
Në një tjetër transmetim të Muslimit përmendet: “Personit që hynte në Islam, Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ia mësonte namazin dhe pastaj e urdhëronte të lutej me këto fjalë: ʻALL-LLAHUM-ME-GFIRLI, UERȞAMNI, UEHDINI, UE ĂAFINI, UERZUǨNI / O Allah falmë, mëshiromë, udhëzomë, jepmë mirëqenie (mbromë) dhe furnizomë!’” (Transmeton Muslimi nr. 2697)
Një tjetër mësim i dobishëm:
Është sunet që muslimani të lutet për vëllanë e tij (musliman) në mospraninë të këtij të fundit. Me lejen e vullnetin e Allahut të Lartësuar, një lutje e tillë merr përgjigje (pranohet). Vetë lutësi për këtë vepër fiton mirësi të madhe. Kjo mirësi përmendet në publikimin e Muslimit në “Sahihu Muslim” nga Ebu Ed-Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: ʻLutja e muslimanit për vëllain e tij (musliman) në mospraninë e këtij të fundit, merr përgjigje (pranohet). Te koka e tij (e lutësit) gjendet një engjëll në detyrë. Sa herë që (lutësi) lutet për mirë për vëllain e tij, engjëlli i autorizuar me të (më këtë detyrë) thotë: ʻAmin. Edhe ty të dhëntë Allahu ato të mira që dëshiron për vëllain tënd!’” (Transmeton Muslimi nr. 2733)