brightness_1
Dhënia e selamit është prej sunetit
Argumentet për këtë sunet janë të shumtë, prej të cilave është dhe hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Muslimani ndaj muslimanit ka gjashtë detyra.” I thanë: “Cilat janë këto, o i Dërguari i Allahut?”Ai (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) tha: “Kur ta takosh, jepi selam; kur të fton, përgjigjju ftesës së tij; kur të këshillon, pranoja këshillën; kur teshtin dhe e falënderon Allahun, lutju Allahut që ta mëshirojë (thuaji: ‘JERȞAMUKELL-LLAH / Allahu të mëshiroftë!’); kur të sëmuret, vizitoje dhe kur të vdesë, përcille xhenazenë e tij.”(Transmeton Muslimi nr. 2162)
- Sa i përket kthimit të selamit, ai është vaxhib (detyrim). Argument për këtë është:
Fjala e Allahut të Lartësuar:
{وَإِذَا حُيِّيْتُم بِتَحِيَّةٍ فَحَيُّواْ بِأَحْسَنَ مِنْهَا أَوْ رُدُّوهَا إِنَّ اللّهَ كَانَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ حَسِيباً}
“Kur ju përshëndet dikush me respekt, kthejani me një përshëndetje më të mirë ose në të njëjtën mënyrë! Pa dyshim, Allahu llogarit çdo gjë.” (En-Nisa: 86)
Në origjinë urdhri është detyrim, përderisa nuk ka diçka që e nxjerr nga ky rregull i përgjithshëm. Shumë prej dijetarëve kanë përcjellë ixhmanë (konsensusin e dijetarëve muslimanë) lidhur me detyrimin e kthimit të selamit. Prej këtyre dijetarëve është edhe Ibn Hazmi, Ibn Abdulbar, dijetari Tekijudin dhe të tjerë përveç tyre (Allahu i mëshiroftë të gjithë!). (Shih: “El-Edab esh-sheri’jeh”vëll. 1, fq. 356, botim i fondacionit “Er-Risale”)
Formula më e mirë dhe më e kompletuar me të cilën jepet dhe kthehet selami është: “ES-SELAMU ĂLEJKUM UE RAȞMETULL-LLAHI UE BEREKATUHU / Paqja (mbrojtja), mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ju!”
Kjo është përshëndetja më e mirë dhe më e plotë.
Ibn el-Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Prej udhëzimit të tij – pra të Profetit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) – është dhënia e plotë e selamit, duke e përfunduar me fjalët: “UE BEREKATUHU / dhe bekimi i Allahut.” (Shih: “Zadu el-mead” vëll. 2, fq. 417)
Përhapja e selamit: është sunet, madje, është një sunet për të cilin na ka inkurajuar shumë Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), duke sqaruar mirësinë e madhe të tij. Argument për këtë është hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka treguar se Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Betohem për Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, se nuk do të hyni në Xhenet pa u bërë besimtarë, dhe nuk mund të bëheni besimtarë të mirë (me besim të plotë) derisa ta doni njëri-tjetrin. A t’u tregoj diçka që, nëse do ta kryeni, do të bëheni të dashur;
përhapni përshëndetjen me selam mes jush.” (Transmeton Muslimi nr. 54)