Argumentet për këtë sunet janë të shumtë, prej të cilave është dhe hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Muslimani ndaj muslimanit ka gjashtë detyra.” I thanë: “Cilat janë këto, o i Dërguari i Allahut?”Ai (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) tha: “Kur ta takosh, jepi selam; kur të fton, përgjigjju ftesës së tij; kur të këshillon, pranoja këshillën; kur teshtin dhe e falënderon Allahun, lutju Allahut që ta mëshirojë (thuaji: ‘JERȞAMUKELL-LLAH / Allahu të mëshiroftë!’); kur të sëmuret, vizitoje dhe kur të vdesë, përcille xhenazenë e tij.”(Transmeton Muslimi nr. 2162)
- Sa i përket kthimit të selamit, ai është vaxhib (detyrim). Argument për këtë është:
Fjala e Allahut të Lartësuar:
{وَإِذَا حُيِّيْتُم بِتَحِيَّةٍ فَحَيُّواْ بِأَحْسَنَ مِنْهَا أَوْ رُدُّوهَا إِنَّ اللّهَ كَانَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ حَسِيباً}
“Kur ju përshëndet dikush me respekt, kthejani me një përshëndetje më të mirë ose në të njëjtën mënyrë! Pa dyshim, Allahu llogarit çdo gjë.” (En-Nisa: 86)
Në origjinë urdhri është detyrim, përderisa nuk ka diçka që e nxjerr nga ky rregull i përgjithshëm. Shumë prej dijetarëve kanë përcjellë ixhmanë (konsensusin e dijetarëve muslimanë) lidhur me detyrimin e kthimit të selamit. Prej këtyre dijetarëve është edhe Ibn Hazmi, Ibn Abdulbar, dijetari Tekijudin dhe të tjerë përveç tyre (Allahu i mëshiroftë të gjithë!). (Shih: “El-Edab esh-sheri’jeh”vëll. 1, fq. 356, botim i fondacionit “Er-Risale”)
Formula më e mirë dhe më e kompletuar me të cilën jepet dhe kthehet selami është: “ES-SELAMU ĂLEJKUM UE RAȞMETULL-LLAHI UE BEREKATUHU / Paqja (mbrojtja), mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ju!”
Kjo është përshëndetja më e mirë dhe më e plotë.
Ibn el-Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Prej udhëzimit të tij – pra të Profetit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) – është dhënia e plotë e selamit, duke e përfunduar me fjalët: “UE BEREKATUHU / dhe bekimi i Allahut.” (Shih: “Zadu el-mead” vëll. 2, fq. 417)
Përhapja e selamit: është sunet, madje, është një sunet për të cilin na ka inkurajuar shumë Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), duke sqaruar mirësinë e madhe të tij. Argument për këtë është hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka treguar se Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Betohem për Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, se nuk do të hyni në Xhenet pa u bërë besimtarë, dhe nuk mund të bëheni besimtarë të mirë (me besim të plotë) derisa ta doni njëri-tjetrin. A t’u tregoj diçka që, nëse do ta kryeni, do të bëheni të dashur;
përhapni përshëndetjen me selam mes jush.” (Transmeton Muslimi nr. 54)
I tillë është p.sh. rasti kur dyshohet që, personi të cilit i është dhënë selami, nuk e ka dëgjuar atë herën e parë. Në këtë rast, është e pëlqyeshme që selami të përsëritet dy herë. Nëse nuk e dëgjon sërish, e përsërit atë dhe herën e tretë. Pëlqehet të veprohet kështu edhe kur përshendetet një grup i madh, si p.sh.kur hyn në një kuvend të madh, në të cilin ka shumë të pranishëm. Mund të ndodhë që, kur i përshëndet të pranishmit në kuvend, ta dëgjojnë vetëm ata që gjenden në fillim të tij (të kuvendit). Atëherë është e nevojshme që të jepet selam deri në tre herë, me qëllim që ta dëgjojnë mirë atë (selamin) të gjithë të pranishmit në kuvend.
Argument për këtë është hadithi i Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që transmeton nga Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) se ai (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) kur fliste një fjalë, e përsëriste atë tre herë, me qëllim që t’ia kuptonin. Dhe kur takohej me ndonjë grup njerëzish, i përshëndeste me selam, ua jepte atyre selamin tre herë.(Transmeton Bukhariu nr. 95)
Nga hadithi i mëparshëm i Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) mësojmë se është sunet që fjalët të përsëriten tre herë, kur është e nevojshme. I tillë është p.sh. rasti kur personi flet dhe nuk i kuptohet fjala (prej të pranishmëve). Në këtë rast, është sunet që fjala të përsëritet (për herë të dytë). Dhe nëse sërish nuk kuptohet, përsëritet për herë të tretë.
Bazohet në hadithin e Abdullah ibn Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!), që tregon se një burrë e pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!): “Cili Islam është më i mirë? (Cilat janë disa nga punët më të mira, që e shfaqin Islamin në formën më të mirë?)” Ai (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) i tha: “Të ndash ushqim (për njerezit në nevojë) dhe t’i japësh selam të njohurve dhe të panjohurve.” (Transmeton Bukhariu nr. 12 dhe Muslimi nr. 39)
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahu (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Ai që ka hipur (në ndonjë kafshë apo mjet transporti) i jep selam (i pari) këmbësorit; ndërsa këmbësorit i jep selam (i pari) atij që është ulur; ata që janë pak (në numër) u japin selam atyre që janë shumë.” (Transmeton Bukhariu nr. 6233 dhe Muslimi nr. 2160)
Në transmetimin e Bukharit vjen: “I vogli i jep selam (i pari) të madhit; ai që ecën ia jep (i pari) selamin atij që është tulur; ata që janë pak (në numër) u japin selam atyre që janë shumë.” (Transmeton Bukhariu nr. 6234)
Më e mira është që të veprohet siç ka ardhur në hadithin e lartpërmendur. Por nëse veprohet ndryshe, si p.sh.: që i madhi t’i japë selam të voglit; këmbësori atij që ka hipur mbi mjet etj. të ngjashme me këto, në të tilla raste nuk themi veprimi është mekruh (i papëlqyeshëm), por thjesht nuk është vepruar më e mira, më parësorja.
Bazohet në hadithin e Enes ibn Malikut (Allahu qoftë i kënaqur me të!) që tregon se ishte duke ecur me të Dërguarin e Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), kur ai kaloi pranë ca fëmijëve dhe u dha atyre selam.(Transmeton Bukhariu nr. 6247 dhe Muslimi nr. 2168)
Duke i përshëndetur të vegjëlit njeriu e edukon veten me modesti, ngjall në zemrat e fëmijëve dëshirën për këtë vepër të mirë dhe i ushtron ata praktikisht.
Ky selam jepet në përgjithësi (në çdo shtëpi që hyhet). Selami jepet, pasi më parë të jetë përdorur misvaku. Kur hyhet në shtëpi, është sunet përdorimi i misvakut. Bazuar në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të publikuar te Muslimi, e cila ka thënë se Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) kur hynte në shtëpi, gjëja e parë që bënte ishte përdorimi i misvakut (pastronte dhëmbët me misvak).”
(Transmeton Muslimi nr. 253). Kur hynte në shtëpi, pasi pastronte dhëmbët me misvak, u jepte selam njerëzve (të shtëpisë). Madje, disa dijetarë kanë thënë se është prej sunetit që të jepet selam në çdo shtëpi, kur hyhet, edhe nëse në të nuk gjendet askush. Bazuar në fjalët e Allahut të Lartësuar: “Kur të hyni në shtëpi, të përshëndetni vetet tuaja (njëri-tjetrin) me selam me përshëndetje të mirë e të bukur nga Allahu. Kështu jua shpjegon Allahu juve shpalljet që të kuptoni.” (En-Nur: 61)”
Në shtëpitë e banuara kjo përshëndetje është: “ES-SELAMU ĂLEJKUM UE RAȞMETULL-LLAHI UE BEREKATUHU / Paqja (mbrojtja), mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ju!”
Kurse në shtëpitë e pabanuara është: “ES-SELAMU ĂLEJNA UE ĂLA ĬBADIL-LAHIŠ-ŠALIȞIN / Paqja (mbrojtja) qoftë mbi ne dhe mbi robërit e mirë të Allahut!”.
Ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Përhapja e selamit është rregull i përgjithshëm. Në të bën pjesë edhe selami që i jep vetes ai që hyn në një vend, ku nuk gjendet askush, bazuar në thënien e Allahut të Lartësuar: “Kur të hyni në shtëpi, të përshëndetni vetet tuaja…” (Shih: “Fet’hu el-bari” hadithi nr. 6235, kapitulli “Ifshau es-selami”)
Një mësim i dobishëm: Nga sa folëm më parë kuptohet se, kur hyhet në shtëpi, është e pëlqyer që të veprohen tre sunete:
I pari: Përmendja e emrit të Allahut të Lartësuar, sidomos natën.
Bazohet në hadithin e Xhabir ibn Abdullahut (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!), i cili tregon se e ka dëgjuar Profetin (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) të thotë: “Kur njeriu do të hyjë në shtëpinë e tij dhe e përmend Allahun para se të futet në të dhe para se të fillojë të hajë ushqim, shejtani thotë (duke iu drejtuar pasuesve të tij): ‘Nuk ka bujtje për ju dhe as darkë.’ Ndërsa, nëse hyn pa përmendur Allahun, shejtani thotë: ‘Gjetët strehim.’ Nëse (njeriu) nuk e përmend Allahun, kur fillon të hajë ushqim, shejtani thotë: ‘E gjetët bujtjen dhe darkën.’” (Transmeton Muslimi nr. 2018)
I dyti: Përdorimi i misvaku, bazuar në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të përmendur më parë, ku është sqaruar dhe grada e këtij hadithi.
I treti: Përshëndetja e njerëzve të shtëpisë.
Kështu vepronte Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), sikurse përmendet në hadithin e (transmetuar nga) El-Mikdad ibn el-Esued (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: “… Ne mjelnim (bagëtitë tona) dhe çdonjëri prej nesh pinte pjesën e vet. Ndërkaq, i çonim edhe Profetit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) pjesën e tij. Ai vinte gjatë natës dhe jepte selam me zë të tillë, që të mos i zgjonte ata që ishin duke fjetur dhe që të dëgjohej nga ishin zgjuar.” (Transmeton Muslimi nr. 2055)
Përcjellja e selamit është sunet, si p.sh. kur dikush të thotë: “Bëji selam prej meje filanit!”, është sunet që t’ia përcjellësh selamin personit përkatës.
Argument për këtë është hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila tregon se Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) i tha asaj: “Xhibrili të çon selam!” Ajo tha: “Edhe mbi të qoftë selami dhe mëshira e Allahut!” (Transmeton Bukhariu nr. 3217 dhe Muslimi nr. 2447)
Nga hadithi mësohet se përcjellja e selamit nga një person te tjetri është prej Traditës Profetike: Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) e përcolli selamin e Xhibrilit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!).
Bazohet në hadithin e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili transmeton se Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Nëse dikush prej jush mbërrin në një kuvend (ulet në të), le t’u japë selam të pranishmëve. Ndërsa kur dëshiron të ngrihet (të largohet prej tij), le t’u të japë selam (përsëri). I pari (selami i parë) nuk është më parësor se i fundit (që të dy selamet - si ai i takimit ashtu edhe ai i largimit - janë të ligjëruara).” (Transmeton Ahmedi nr. 9664, Ebu Daudi nr. 5208 dhe Et-Tirmidhi nr. 2706; Albani në “Sahihu el-xhami” vëll. 1, fq. 132, ka thënë se hadithi është sahih / i vërtetë.)
Në këtë mënyrë kanë vepruar sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!).
Argument për këtë është hadithi i Katedes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili thotë: “Unë i thashë Enesit: ‘A ishte i njohur shtrëngimi i duarve në mesin e sahabëve (shokëve) të Profetit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ?’,- dhe ai më tha: ‘Po.’” (Transmeton Bukhariu nr. 6263)
Bazohet në hadithin e Ebu Dherrit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë se Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) më tha: “Mos nënvlerëso asgjë nga veprat e mira, edhe në momentin kur ta takosh vëllanë tënd (musliman) duke buzëqeshur e me fytyrë të çlirët (gazmore).” (Transmeton Muslimi nr. 2626)
Në publikimin që Et-Tirmidhi i bën hadithit të Ebu Dherrit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “T’i drejtosh buzëqeshje fytyrës së vëllait tënd është sadaka (lëmoshë – vepër e mirë, përmes së cilës fiton shpërblime).” (Transmeton Et-Tirmidhi nr. 1956; Albani, në “Es-Sahiha” nr. 572, thotë se hadithi është sahih / i vërtetë.)
Fjala e mirë është sunet, sepse ajo është sadaka; qoftë gjatë takimit, bisedimit apo në çdo gjendje tjetër.
Argument për këtë është hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka treguar se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Edhe fjala e mirë është sadaka.” (Transmeton Bukhariu nr. 2989 dhe Muslimi nr. 1009)
Gjuhët e njerëzve artikulojnë shumë fjalë të mira, për të cilat do të fitonin shpërblim të madh dhe do t’u konsiderohej sikur jepnin sadaka e bollshme, nëse do ta bënin këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut.
Dijetari ynë Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Fjalë të mira konsiderohen edhe pyetjet si këto: ‘Si je? Si shkon? Si i ke vëllezërit?
Si i ke familjarët?’ Dhe shprehje të tjera të ngjashme me këto. Janë prej fjalëve të mira, përderisa fusin gëzim në zemrën e shokut tënd. Çdo fjalë e mirë konsiderohet sikur jep sadaka (bën bamirësi) dhe fiton për të shpërblim tek Allahu.” (Shih: “Sherhu rijadi es-salihin” vëll. 2, fq. 996, në kapitullin“Istihbab tajibi el-kelam ue talakatu el-uexhëh inde el-lika”.)
Janë të shumta hadithet që flasin për mirësitë e kuvendeve të dhikrit (përmendjes së Allahut) dhe që nxisin për to. Prej tyre është hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili na tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Allahu ka engjëj që kërkojnë rrugëve, për të gjetur personat që bëjnë dhikër. Kur gjejnë një grup që përmendin Allahun, atëherë ata thërrasin: ʻHajdeni për tek ajo që po kërkoni (përmendja e Allahut)!’ Dhe u vijnë atyre rreth e përqark me krahët e tyre deri (lart) në qiellin e dynjasë...” (Transmeton Bukhariu nr. 6408 dhe Muslimi nr. 2689)
Bazohet në hadithin e Ebi Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili në tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush qëndron në një kuvend, gjatë të cilit flet shumë fjalë të kota, dhe para se të ngrihet prej tij thotë:
سُبْحَانَكَ اللّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ أَشْهَدُ أن لاَ إلَهَ إلاّ أنْتَ، أَسْتَغْفِرُكَ وَأَتُوبُ إِلَيْكَ
‘SUBȞANEKELL-LLAHUM-ME UE BIȞAMDIKE, ESH-HEDU EN LA ILAHE IL-LA ENTE, ESTEGFIRUKE UE ETUUBU ILEJKE.
I dëlirë nga të metat je Ti, o Allah! Ty të përket lavdia! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje! Ty të kërkoj falje dhe para Teje pendohem!’, me siguri që do t’i falen gjynahet që ka bërë në atë kuvend.” (Et-Tirmidhi 3433; Albani, në “Sahihu el-xhamia”vëll. 2, fq. 1065, ka thënë se ky hadith është sahih / i vërtetë.”