languageIcon
search
search
beforeFajronColorIcon Sunete jo periodike/ Prej suneteve të abdesit/ ( Dhe numri i tyre 10 Sunete )
brightness_1 Larja tre herë e gjymtyrëve të abdesit

Larja e parë është vaxhib (e detyrueshme), ndërsa e dyta dhe e treta janë sunet (të pëlqyeshme). Po kështu, nuk bën të shtohet mbi tre larje.

Argumenti për këtë është:

Tek Bukhariu (Allahu e mëshiroftë!), hadithi i konfirmuar i ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!): “Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) mori abdes duke i larë vetëm një herë gjymtyrët.” (Transmeton El-Bukhari nr. 157) Po tek Bukhariu konfirmohet thënia e Abdullah ibn Zejdit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) mori abdes duke i larë dy herë gjymtyrët.” (Transmeton Bukhariu nr. 158) Po kështu, në Es-Sahihani (Sahih Bukhari dhe Sahih Muslim) konfirmohet hadithi i Uthmanit, (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) mori abdes duke i larë  tre herë gjymtyrët.” (Transmeton Bukhariu nr. 159) Për këtë, më e mira është larmishmëria, në kuptimin që: disa herë të merret abdes duke i larë gjymtyrët vetëm një herë, herë-herë të bëhet me dy (larje) dhe herë-herë me tre (larje). Dhe ndonjëherë kur merr abdes të realizoje tre format e lartpërmendura, duke i kombinuar, p.sh.: të lajë fytyrën tre herë,  duart dy herë dhe këmbët një herë, siç vjen në Es-Sahihani (Bukhariu dhe Muslimi) nga thënia e Abdullah ibn Zejdit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në një tjetër transmetim. (Shih: “Zadu El-Mead” vëll. 1, fq. 192) Por në të shumtën e rasteve duhet të bëjë më të mirën, që është: larja tre herë e gjymtyrëve. Kjo është prej udhëzimit të Profetit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) .   

brightness_1 Lutja që thuhet pas abdesit

(Bazohet në hadithin e ardhur) nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Kushdo nga ju që merr abdes ashtu siç duhet dhe pastaj të thotë:

أَشْهَدُ أَنَّ لاَ إِلهَ أَلاَّ اللّهُ , وَأَنَّ مُحمَّداً عَبْدُ اللّهِ وَرَسُولُهُ

ESH-HEDU EN LA ILAHE IL ALLAH UE EN-NE MUȞAM-MEDEN ǍBDULL-LLAHI UE RESULUH.

 Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij’, atij do t’i hapen të tetë dyert e Xhenetit, të futet nga cilado prej tyre.” (Transmeton Muslimi nr. 234)

Ose bazohet në hadithin e ardhur nga Ebu Saidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që tregon se Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush merr abdes dhe kur e përfundon atë  thotë:

سُبْحَانَكَ اللَّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ, أَشْهَدُ أَنْ لا إِلَهَ إلاَّ أَنْتَ, أَسْتَغْفِرُكَ وأَتُوبُ إلَيْكَ

SUBȞANEKE ALLAHUM-ME UE BIȞAMDIKE, ESH-HEDU EN LA ILAHE ILA ENTE, ESTEGFIRUKE UE ETUBU ILEJKE.

 Lavdiplotë (e i patëmetë) je o Allah dhe falënderimi absolut të takon vetëm Ty, dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Teje, të kërkoj falje dhe ta shpreh Ty pendimin tim’; (këtë) Allahu e vulos me një vulë, pastaj ngrihet në qiell derisa arrin poshtë Arshit dhe qëndron në atë gjendje  deri në Ditën e Gjykimit.” (Transmeton En-Nesai në “Amelu el-jeumi ue el-lejli”fq. 147 dhe El-Hakim 1/ 752) Ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë se ky transmetim është sahih / i vërtetë. (Shih: “Netaixhu el-Efkeri 1/ 246) Ai ka sqaruar se hadithi i transmetuar në mos qoftë merfuan(çfarë i atribuohet Profetit - Paqja qoftë mbi të! - prej fjalëve, veprave ose miratimeve), është meukufun (nuk i atribuohet Profetit, por ndonjërit prej sahabëve); kështu që nuk ka asnjë problem për të. Arsyeja është se realisht këto fjalë janë thënë nga vetë Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), pasi i përkasin sferës së shpalljes hyjnore, ku askujt (as sahabiut / shokut të Profetit) nuk i lejohet të shprehë ndonjë mendim.