brightness_1
Falja e dy rekateve para (namazit të obliguar të) akshamit
Bazohet në hadithin e Abdullah ibn Mugafel el-Muzeniut (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili transmeton se Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Faluni para namazit (të obliguar) të akshamit!,- (pasi e përsëriti këtë dy herë) herën e tretë tha: ‘Kush të dojë.’ Tha kështu, sepse nuk dëshironte që njerëzit ta bënin atë traditë.” (Transmeton Bukhariu nr. 1183)
- Gjithashtu, është sunet që ndërmjet ezanit dhe ikametit të falen dy rekate.
Nëse dy rekatet janë sistematike, si ato të agimit (sabahut) dhe të drekës, atëhere këto (sunete sistematike) mjaftojnë për këto dy rekate. Nëse namazliu gjendet i ulur në xhami dhe muezini thërret ezanin e namazit të ikindisë ose të jacisë, prej sunetit është që ky person të ngrihet dhe të falë dy rekate.
Argument për këtë është:
Hadithi i Abdullah ibn Mugafel el-Muzeniut (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), ka thënë: ‘Ndërmjet dy ezaneve (ezanit dhe ikametit) ka namaz (vullnetar).’ Ai (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) e tha këtë tre herë dhe pastaj shtoi: ‘Kush të dojë.’” (Transmeton Bukhariu nr. 624 dhe Muslimi nr. 838)
S’ka dyshim se falja e dy rekateve (vullnetare) para (namazit të obliguar të) akshamit ose ndërmjet ezanit dhe ikametit nuk janë prej suneteve të forta (sunete që falen në mënyrë të rregullt e sistematike), prandaj ato (dy rekatet në fjalë) nganjëherë duhen lënë. Për këtë arsye, Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) herën e tretë tha: “Kush të dojë.” Tha kështu, sepse nuk dëshironte që njerëzit ta bënin atë traditë.