Është e pëlqyer që përdoruesi i banjos, para se të hyrë në të, të thotë dhikrin e transmetuarnë“Es-Sahihani” (Bukhariu dhe Muslim):
Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), kur hynte në banjo thoshte:
اللَّهُمَّ إِنِّي أَعُوذُ بِكَ مِنَ الْخُبثِ وَالْخَبَائِثِ
“ALL-LLAHUM-ME IN-NI EŬUDHU BIKE MINEL KHUBUTHI (KHUBTHI) UEL KHABAITH!
O Allah! Të lutem më mbro nga shejtanët dhe shejtanet!”(Transmeton Bukhariu nr. 6322 dhe Muslimi nr. 375)
Me fjalën “El-Khubuth” nënkuptohen: meshkujt prej shejtanëve, kurse “El-Khabaith” janë femrat (shejtanet). Prandaj, në mbrojtjen e kërkuar përfshihen shejtanët meshkuj dhe femra.
Fjala “El-Khubth” është më përfshirëse. Ajo nënkupton të keqen. Kurse “El-Khabaith” nënkuptohen shpirtrat e këqij. Prandaj, në mbrojtjen e kërkuar përfshihen gjithë të keqijat dhe keqbërësit.
- Kur del nga banjoja, është sunet të thotë:
Transmetimin e ardhur nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila ka thënë: “Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), kur dilte nga banjoja thoshte: ʻGUFRANEK/ Kërkoj faljen Tënde, Zot!’”(Transmeton Ahmedi nr. 25220, Ebu Daudi nr. 30 dhe Et-Tirmidhi nr. 7; Albani, në shqyrtimin “Mishkatu el-masabih”vëll. 1, fq. 116, ka thënë se hadithi është sahih / i vërtetë.)
Lënia e testamentit është sunet për çdo musliman, sido qoftë ai: i sëmurë a i shëndetshëm; bazuar në thënien e të Dërguarit të Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!): “Çdo muslimani, që dëshiron të lërë amanet diçka (me testament), nuk duhet t’i kalojnë dy netë pa e pasur pranë vetes të shkruar testamentin që do të lërë.” (Transmeton Muslimi nr. 1626) Ky hadith është transmetuar nga Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!). Përmendja e dy netëve në hadith nuk vjen në mënyrë kategorike (të prerë), por përmes saj ka dashur të theksojë, që muslimanit nuk duhet t’i kalojë as edhe një kohë e shkurtër, pa e pasur pranë vetes testamentin që do të lërë. Arsyeja është se ai nuk e di se kur do të vdesë. Ky është një ligj i përgjithshëm për tërë njerëzit (askush nuk e shmang dot vdekjen dhe se ajo vjen papritur).
Ndërsa testamenti i përket detyrimeve ndaj Allahut të Lartësuar, si: zekati ose haxhi, ose shlyerja (obligative) etj.; ose ai që ka të bëjë me të drejtat e njerëzve, si: borxhi dhe çuarja në vend e amaneteve etj.; të gjitha këto janë obligim dhe jo sunet. Gjykimi i lartpërmendur bazohet në faktin se ky testament ka të bëjë me të drejtat dhe detyrimet, sidomos në rastet kur për këto (të drejta e detyrime) nuk ka dijeni askush (një rregull juridik në sheriatin islam thotë se ajo, pa të cilën nuk mund të përmbushet vaxhibi (detyrimi), është detyrim (në vetvete).
Kjo realizohet kur shitësi dhe blerësi të stolisen me tolerancë dhe butësi gjatë shitblerjes. Asnjëri prej tyre nuk bën të sillet ashpër kur bën pazar dhe diskuton për këtë, por duhet të tregohen tolerant.
Argument për këtë është:
Hadithi i Xhabir ibn Abdullahut (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!), i cili tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Allahu e mëshiroftë atë person që tregohet tolerant gjatë shitjes, blerjes dhe shlyerjes së borxhit.” (Transmeton Bukhariu nr. 2076)
Kështu pra, është prej sunetit që kur të kërkojë shlyerjen e borxhit, ta kërkojë me butësi, bazuar në thënien e Profetit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) : “…dhe shlyerjes së borxhit”.
Ky namaz është një prej suneteve ditore, nga praktikimi i të cilit fitohet shpërblim i madh, që është: hyrja në Xhenet. Në transmetimin e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!) vjen se Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), në namazin e sabahut (agimit), i ka thënë Bilalit: “‘O Bilal, tregomë për punën më shpresuese që ke bërë në Islam, sepse unë kam dëgjuar, para meje, trokëllimën e këpucëve të tua në Xhenet.’ Ai (Bilali)tha: ‘Puna që shresoj më shumë (në shpërblimin e Allahu) është: sa herë që jam pastruar (kam marrë abdes ose gusël) gjatë natës a ditës, kam falur namaz (dy rekate) në këtë gjendje të pastër (me abdes a gulul)’” (Transmeton Bukhariu nr. 1149)
Pritja e namazit është një vepër e pëlqyer, prej së cilës fitohet shpërblim i madh.
Argument për këtë është:
Hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Për sa kohë ndonjëri prej jush është në pritje të namazit dhe atë nuk e pengon gjë tjetër, përveç namazit, që të kthehet te familjarët e vet, ky person konsiderohet sikur është duke u falur.” (Transmeton Bukhariu nr. 659 dhe Muslimi nr. 649) Ky person, duke pritur, merr shpërblimin e faljes së namazit.
Po Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Engjëjt luten (për falje dhe mëshirë) për ndonjërin prej jush, përderisa është në vendfaljen e tij dhe për sa kohë nuk e ka prishur abdesin. Ata thonë: ‘O Allah, fale! O Allah, mëshiroje!’” (Transmeton Bukhariu nr. 659 dhe Muslimi nr. 649) Kuptimi i shprehjes ‘përsa kohë nuk e ka prishur abdesin’ është: përderisa nuk ka bërë diçka që e prish abdesin.
Ndërsa në publikimin e Muslimit vjen:
“Për sa kohë nuk shqetëson ndonjë në në vendfalje, për sa kohë nuk e ka prishur abdesin.” (Transmeton Muslimi nr. 649) Pra, ky shpërblim fitohet duke plotësuar dy kushte: të mos shqetësojë a lëndojë ndokënd në atë vend ku qëndron dhe të mos e prishë abdesin.
Misvaku është prej suneteve të pakufizuar në kohë, pra, mund të përdoret në çdo kohë. Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), transmeton se Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) nxiste shumë për këtë sunet, saqë ka thënë: “Kërkoj prej jush ta përdorni sa më shumë misvakun.” (Transmeton Bukhariu nr. 888)
Po në lidhje me misvakun, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Misvaku e pastron gojën dhe e kënaq Zotin.” (Transmeton Ahmedi me nr. 7 dhe En-Nesai nr. 5; Albani, në “El-Irua” vëll. 1, fq. 105, ka thënë se hadithi është sahih / i vërtetë.)
Misvaku është një sunet i fortë, siç u theksua në rastet e përmendura me herët, sidomos në ato që përsëriten përgjatë ditës e natës, si: në faljen e namazit të natës, kur merret abdes, para çdo namazi, kur hyhet në shtëpi etj. Allahu e di më së miri.
Për muslimanin është sunet ta përtërijë (përsërisë) abdesin për çdo namaz. Prandaj, nëse merr p.sh. abdes për namazin e akshamit dhe pastaj e fal atë, kur të vijë namazi i jacisë, është sunet të rimarrë abdes, edhe nëse e ka abdesin. Pra, marrja e abdesit për çdo namaz është prej sunetit.
Argument për këtë është: :
Hadithi që gjendet tek Bukhariu, ku transmetuesi i hadithit thotë: “Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) merrte abdes në çdo namaz.” (Transmeton Bukhariu nr. 214)
Gjithashtu, prej sunetit pëlqehet që muslimani të jetë i pastër gjatë gjithë ditës. Ky gjykim bazohet në hadithin e Theubanit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që tregon se Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Për abdesin nuk kujdeset vetëm se një besimtar.” (Transmeton Ahmedi nr. 22434, Ibn Maxhe nr. 277 dhe Ed-Darimi nr. 655; Albani, në “Sahihu el-xhami” vëll. 1, fq. 225, ka thënë se hadithi është sahih / i vërtetë.)