Prej sunetit është që veshja e këpucëve të fillohet me të djathtën
Është e pëlqyer që muslimani ta fillojë veshjen e këpucëve nga këmba e djathtë. Gjithashtu është prej sunetit heqjen e këpucëve ta fillojë nga këmba e majtë.
Argument për këtë është hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush t’i veshë këpucët, le të fillojë me të djathtën. Ndërsa kur t’i heqë, le të fillojë me të majtën. Le të jetë e djathta e para që vishet dhe e fundit që hiqet.” (Transmeton Bukhariu nr. 5856)
Në një tekst tjetër që ka ardhur te Muslimi transmetohet: “Askush prej jush të mos ecë me një këpucë! Le t’i veshë ose t’i heqë të dyja njëkohësisht.” (Muslimi nr. 2097)
Në këto dy hadithe dalin në pah tre sunete:
1. Veshja e këpucëve të fillohet me të djathtën.
2. Heqja e këpucëve të fillohet me të majtën.
3. Këpucët të vishen ose të hiqen të dyja në të njëjtën kohë. Nuk lejohet të ecet me një këpucë të vetme.
Është e pëlqyeshme veshja e rrobave të bardha
Në kuptimin që: ngjyra e bardhë është e preferuar; bazuar në hadithin e Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!), i cili na tregon se Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Vishuni me të bardha, sepse ato janë prej rrobave tuaja më të mira. Edhe të vdekurit tuaj qefinosini me to.” (Transmeton Ahmedi nr. 2219, Ebu Daudi nr. 3878 dhe Et-Tirmidhi nr. 994; Albani, në “Sahihu el-xhamia” vëll. 1, fq. 267, ka thënë se hadithi është sahih / i vërtetë.)
Dijetari ynë, Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Rrobat e bardha të përmendura në hadith përfshijnë: këmishat, pantallonat etj. veshje. Është sunet që ato të jenë të bardha. E bardha është ngjyra më e preferuar. Edhe nëse vishen rroba me ndonjë ngjyrë tjetër, nuk ka problem, me kusht që të mos jenë prej rrobave të veçanta për gratë.” (Shih: “Sherhu rijadi es-salihin” 2 / 1087)
Përdorimi i parfumit është prej sunetit
Përdorimi i parfumit është prej sunetit (në ambient publik lejohet vetëm për burrat).
Bazohet në hadithin e Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka treguar se Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Nga kjo botë, më janë bërë të dashura gratë dhe parfumi. Ndërsa namazi më është bërë kënaqësi e shpirit tim.” (Transmeton Ahmedi nr. 12293 dhe En-Nesai nr. 3940; Albani, në “Sahihu en-Nesai”, ka thënë se hadithi është hasen, sahih / i mirë - i besueshëm, i saktë - i vërtetë.)
Kurse teksti: “Nga dynjaja më janë bërë të dashura tre gjëra…”, është i dobët.
Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) e urrente erën e pakëndshme. Në publikimin e Bukhariut, vjen hadithi i gjatë i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila ka thënë: “Të Dërguarit të Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) i vinte rëndë (nuk i pëlqente aspak) që prej tij të dilte erë (jo e këndshme).” (Transmeton Bukhariu nr. 6972) Me fjalën “erë” nënkuptohet aroma jo e mirë (e pakëndshme).
Refuzimi i parfumit është i papëlqyeshëm
Bazohet në hadithin e Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: “Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) nuk e kthente mbrapsht parfumin.”(Transmeton El-Bukhari nr. 2582)
Është e pëlqyeshme që flokët të krehen djathtas
Nga kjo kuptohet që, sipas sunetit, krehja e flokëve fillohet nga ana e djathtë dhe pastaj (vijohet) majtas.
Argument për këtë është:
Hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila ka thënë: “Profetit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) i pëlqente ta fillonte veshjen e këpucëve, krehjen dhe pastrimin në anën e djathtë. Madje, e preferonte të djathtën në çdo çështje.” (Transmeton Bukhariu nr.168 dhe Muslimi nr. 268)
Telefono
Me ne
Jemi të lumtur që marrim thirrjet dhe pyetjet tuaja në çdo kohë