Bazuar në hadithin e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: ‘Nëse do ta dinin se çfarë (mirësie) ka në shkuarjen herët për në namaz, do të garonin.” (Transmeton Bukhariu nr. 615 dhe Muslimi nr. 437)
Në hadith është përmendur fjala “et-tehxhir” që do të thotë: shkuarja herët (para hyrjes së kohës) për në namaz.
2. Të dalë nga shtëpia e tij i pastruar (të ketë marrë abdes), që t’i shkruhet shpërblimi i hapave për në xhami.
Bazohet në hadithin e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: ‘Namazi që e fal besimtari në xhemat (vlera e namazit që e fal në grup) është njëzet e ca gradë më shumë se namazi (që e fal i vetëm) në shtëpinë dhe në tregun e tij. Këtë shpërblim (të madh) e fiton ndonjëri prej jush, që e merr abdesin e plotë e në mënyrën më të mirë (duke zbatuar sunetet dhe rregullat e tij), pastaj shkon në xhami vetëm për shkak të namazit, duke mos synuar asgjë tjetër veç tij; (nëse plotësohen këto kushte) atëhere për çdo hap që hedh lartësohet një gradë dhe i shlyhet një gabim, derisa të hyjë në xhami. Pasi të hyjë në xhami merr shpërblim sikur është në namaz, përderisa është aty për shkak të namazit. Engjëjt dërgojnë salavat (luten dhe kërkojnë falje) për ndonjërin prej jush, përderisa qëndron në vendin ku është falur, (engjëjt) thonë: ‘O Allah, mëshiroje! O Allah, fale! O Allah,pranoja pendimin!’ E bëjnë këtë përderisa nuk lëndon ndokënd (me fjalë apo me vepra) dhe nuk e prish abdesin.” (Transmeton Muslimi nr. 649)
Bazohet në hadithin e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili transmeton se Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Nëse e dëgjoni ezanin, shkoni në namaz, duke bërë kujdes që të jeni të qetë dhe seriozë, e mos nxitoni. Atë (pjesë namazi) që e arrini, faleni; dhe atë që ju ikën, plotësojeni!” (Transmeton Bukhariu nr. 636 dhe Muslimi nr. 602)
En-Neueui (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “…Qetësia është: gjendja e njeriut që ecën pa u ngutur e pa u rrëmbyer dhe shmangia e kotësisë; ndërsa serioziteti është në paraqitje, si p.sh.: përmbajtja e shikimit, ulja e zërit dhe vëmendja për të mos rënë në sjellje të shkujdesur.”
Bazohet në hadithin e Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: “Prej sunetit është hyrja në xhami me këmbën e djathtë dhe të dalja prej saj me këmbën e majtë.”(Transmeton Hakimi vëll. 1, fq. 334, i cili thotë se transmetimi është sahih / i vërtetë, sipas kriterit të Muslimit.)
Bazohet në hadithin e Ebu Humejdit ose Ebu Usejdit, që ka rrëfyer se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Kur ndonjëri nga ju të hyjë në xhami, le të thotë:
اللّهُمَّ افْتَحْ لِي أَبْوَابَ رَحْمَتِكَ
‘ALL-LLAHUM-ME-FTAȞ LI EBUABE RAȞMETIK!
O Allah, hapmi dyert e mëshirës Tënde!’,- dhe kur të dalë le të thotë:
اللّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ مِنْ فَضْلِكَ
‘ALL-LLAHUM-ME INI ESELUKE MIN FAĎLIK!
O Allah, unë të lutem të më japësh prej mirësisë Tënde!’” (Transmeton Muslimi nr. 713)
Kështu vepron kur vjen herët për namaz. Në këtë rast është sunet që të mos ulet derisa të falë dy rekate, bazuar në hadithin e Ebu Katedes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: “Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: ‘Nëse ndonjëri prej jush hyn në xhami, të mos ulet derisa të falë dy rekate!’” (Transmeton Bukhariu nr. 1163 dhe Muslimi nr. 714)
Për përshëndetjen e xhamisë mjafton të falet suneti para namazit, nëse ka të tillë, si: agimi dhe dreka; ose suneti i duhasë (paradites), nëse hyn në xhami paradite; ose vitri, nëse e fal atë në xhami, ose farzi (namazi i detyruar). Sepse qëllimi i përshëndetjes së xhamisë është: që muslimani të mos ulet gjersa të falet. Në këtë mënyrë gjallërohen xhamitë me namaz dhe në to falet namaz, sa herë që frekuentohen.
Për burrat është sunet garimi për të zënë rreshtin e parë (pas imamit), pasi ai është rreshti më i mire. Ndërsa për gratë rreshti më i mirë është i fundit.
Bazohet në hadithin e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili transmeton se Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Rreshti më i mirë për burrat është i pari dhe më i keqi është i fundit. Ndërsa rreshti më i mirë për gratë është i fundit dhe më i keqi është i pari.” (Transmeton Muslimi nr. 440)“Më i miri” rresht ka kuptimin: me më shumë shpërblime dhe mirësi; ndërsa“më i keqi”: ai që ka më pak shpërblime dhe mirësi.
Ky hadith vlen për rastin kur burrat dhe gratë falen në xhemat (nëgrup), duke mos pasur midis tyre ndonjë ndarës, si p.sh. ndonjë mur ndarës a diçka të ngjashme. Në këtë rast rreshti më i mirë i grave është i fundit, sepse ai i ruan ato nga sytë e burrave. Ndërsa, nëse mes burrave dhe grave ka ndarës, si mur apo diçka të ngjashme me të, ose siç është realiteti në xhamitë tona të sotme, ku grate kanë vendfaljen e tyre të veçantë, në këtë rast rreshti më i mirë i grave është i pari, për mungesë të shkakut të afërsisë me burrat. Ky mendim bazohet në faktin se dispozita sillen rreth arsyes (shkakësisë), me praninë ose jo të kësaj arsyeje. Gjithashtu bazohet në argumentet e përgjithshme, që flasin për mirësitë e rreshtit të parë, prej të cilëve janë:
Hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Nëse do ta dinin njerëzit së çfarë (mirësie) ka te thirrja (ezani)e te rreshti i parë dhe pastaj për (ta arritur) këtë nuk do kishin mënyrë tjetër veçse të hidhin short, do kishin hedhur short. Po qe se do ta dinin se çfarë (mirësie) ka shkuarja herët për në namaz, do garonin për këtë. Po ta dinin se çfarë (mirësie) ka në namazin e jacisë dhe të agimit (sabahut), do të shkonin në këto dy namaze, qoftë edhe këmba-dorazi.” (Transmeton Bukhariu nr. 615 dhe Muslimi nr. 437)
Për besimtarin që falet pas imamit, rreshti më i mirë është i pari, siç u tha. Të përpiqet të falet sa më pranë imamit, nga të dy anët, e djathta apo e majta.
Argument për këtë është:
Hadithi i Abdullah ibn Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: ‘Më pranë meje (pra, më pranë imamit) le të falen ata që janë më të pjekur dhe më të mençur.” (Transmeton Ebu Daudi nr. 674 dhe Et-Tirmidhi nr. 228) Shprehja “Më pranë meje” do të thotë: të afrohen drejt meje. Ky argument tregon se prej besimtarit kërkohet të falet sa më afër imamit, në çdo drejtim.