Në kohën e paradites, është prej sunetit që të falet namazi i duhasë (i paradites)
Argument për këtë është:
a. Hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: “Miku im i ngushtë (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) më ka porositur për tre gjëra: të agjëroj tre ditë nga çdo muaj, të fal dy rekate të duhasë (paradites) dhe ta fal vitrin para se të fle.” Gjithashtu, me këto fjalë Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) e ka porositur edhe Ebu Derdain (Allahu qoftë i kënaqur me të!), siç transmeton Muslimi nr. 722. Sikurse e ka porositur edhe Ebu Dherrin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), siç transmeton En-Nesai, në librin “Es-Sunenu el-kubra” nr. 2712; Albani, në veprën “Es-Sahiha” nr. 2166, ka thënë se hadithi është sahih / i vërtetë.
b. Hadithi i Ebu Dherrit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili transmeton se Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Teksa gdhiheni, për çdo nyjë të trupit, ju duhet të jepni sadaka (lëmoshë). Çdo tesbih(SUBȞAN-ALL-LLAH / I Lavdishëm e i patëmetë është Allahu!) është sadaka; çdo tehmid (EL-ȞAMDU LIL-LAH / Falënderimi absolut i takon Allahut!) është sadaka; çdo tehlil(LA ILAHE IL-LALL-LLAH / Nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut!) është sadaka dhe çdo tekbir(ALL-LLAHU EKBER / Allahu është më i Madhi!) është sadaka; urdhërimi në të mirë është sadaka; edhe ndalimi nga e keqja është sadaka. Për të shlyer të gjitha këto mjafton qëtë falni dy rekate të duhasë (paradites).”
(Transmeton Muslimi nr. 720)
Nyjë: është vendi ku lidhen dy kocka njëra me tjetrën, kyç.
Po në “Sahihun e Muslimit”, në hadithin që e transmeton Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka ardhur sqarimi se çdo njeri është krijuar me treqind e gjashtëdhjetë kyçe dhe se kush bën aq mirësi sa të kompesojë këtë begati, në ditën që përmbush këtë e largon veten nga zjarri i Xhehenemit.
Koha e namazit të duhasë
Koha e namazit të paradites fillon në çastin kur dielli është ngritur sa një shtizë mbi horizont, pra pasi përfundon koha gjatë së cilës ndalohet falja e namazeve vullnetare.
Koha e namazit të duhasë përfundon pak (kohë) para zenitit, pra: afërsisht dhjetë minuta para hyrjes së kohës së namazit të drekës.
Argument për këtë është hadithi i transmetuar nga Amër ibn Abese (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Fale namazin e agimit (sabahut) dhe pastaj mos fal u (namazvullnetar) gjatë kohës që lind dielli (nga koha pas sabahut) derisa ai (dielli) të ngrihet lart (mbi horizont sa një shtizë)… Pastaj falu (fal namazin e duhasë etj.), sepse namazi (në këtë kohë) dëshmohet (nga engjëjt). Mund të vazhdosh të falesh derisa hija të bëhet më e vogël se shtiza (hija e objektit të pakësohet derisa të humbasë fare, pra deri pak kohë para zenitit). Pastaj mos u fal (namaz vullnetar), pasi atëherë vlon Xhehenemi…” (Transmeton Muslimi nr. 832)
Koha më e mirë e namazit të duhasë është
në fundin e kohës së paradites, që përkon me momentet kur të vegjlit e deveve ulen (për shkak të piskut të vapës).
Argument për këtë është hadithi i Zejd ibn Erkamit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili rrëfen: “Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: ‘Namazi i penduarve është kur ulen të vegjlit e deveve (për shkak të zhegut).”
(Transmeton Muslimi nr. 748)
Ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Të vegjlit e deveve ulen, kur vapa arrin kulmin. Fjala“fisal” në fjalën arabe nënkuptohen të vegjlit e deveve. Ky namaz është prej namazeve, të cilat është më mirë të falen në fundin e kohës së tyre.” (Shih: “Fetaua islamije”vëll. 1, fq. 515)
Numri i rekateve të namazit të duhasë
Numri më i vogël i rekateve të namazit të duhasë (paradites) është dy. Bazohet në hadithin e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që vjen në “Es-Sahihani” (Bukhariu dhe Muslimi): “Miku im i ngushtë (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) më ka porositur për tre gjëra: ..., dhe përmendi prej tyre: të fal dy rekate të duhasë (paradites).” (Transmeton El-Bukhari nr. 1981 dhe Muslimi nr. 721)
Sa i përket numrit maksimal të rekateve të namazit të duhasë: mendimi i saktë është se për këtë nuk ka kufi, ndryshe nga ata që thonë se maksimumi është tetë rekate. Pra, namazliu ka të drejtë të shtojë mbi tetë rekate, aq sa t’ia lehtësojë Allahu i Lartësuar, me mirësinë e Tij. Bazohet në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “I Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) e falte duhanë (namazin e paradites) katër (rekate) dhe shtonte mbi këtë sa deshte Allahu.” (Transmeton Muslimi nr. 719)
Telefono
Me ne
Jemi të lumtur që marrim thirrjet dhe pyetjet tuaja në çdo kohë