Suneti ka kuptimin: mustehabi (veprimi i pëlqyeshëm) dhe mendubi (veprimi i dëshirueshëm).
Kësisoj, suneti: është çfarë ka urdhëruar Ligjëvënësi (Allahu i Madhëruar), jo në formë të detyrueshme dhe rezultati i sunetit është se: vepruesi shpërblehet dhe lënësi nuk ndëshkohet.
Modele nga kujdesi i selefëve (dijetarëve të tre gjeneratave të para muslimane) për sunetin
1. Muslimi, në Autentikun e tij (Sahihu Muslim), ka transmetuar hadithin (bisedën) e En-Nu‘man ibn Salimit, nga Amër ibn Eus (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!), i cili (Amri) tha: “Anbese ibn Ebi Sufjani bisedoi me mua, tha: ‘Kam dëgjuar Umu Habiben (bashkëshorten e Profetit) të thotë: ‘Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) të thotë: “Kujtdo që fal dymbëdhjetë rekate në një ditë-natë i ndërtohet shtëpi në Xhenet.”(Transmeton Muslimi nr. 1727) Umu Habibja tha: “Nuk i kam lënë ato, që kur i dëgjova (këto fjalë) nga i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).” Anbese tha: “Nuk i kam lënë ato, që kur i dëgjova (këto fjalë) nga Umu Habibja.”
Amër ibn Eusi tha: “Nuk i kam lënë ato, që kur i dëgjova (këto fjalë) nga Anbese.”
En-Nu’man Ibn Salimi tha: “Nuk i kam lënë ato, që kur i dëgjova (këto fjalë) nga Amër ibn Eusi.’”
2. Hadithi i Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Fatimja (e bija e Profetit) u ankua për lëndimet (kallot) që kishte pësuar dora nga mokra (guri i mullirit). Profetit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) i erdhën robër lufte, kështu që Fatimja u nis për tek ai, por nuk e gjeti. Ajo u takua me Aishen dhe bisedoi me të. Kur Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) erdhi, Aishja i tregoi se Fatimja kishte qenë tek ajo. Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) erdhi tek ne, teksa ne ishim në shtrat. Ne bëmë të ngrihemi, por Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) na tha: ‘Rrini në vendin tuaj!’ U ul mes nesh (te koka) derisa ndjeva ftohtësinë e këmbës së tij mbi kraharorin tim dhe më pas tha: “A t’ ju mësoj diçka më të mirë se ajo që kërkuat?! Kur të bini në shtrat, ta madhëroni Allahun (Të thoni:“ALLAHU EKBER / Allahu është më i Madhi!”)34 herë, t’i shprehni Atij lavdi (Të thoni:“SUBȞAN-ALL-LLAH / Lavdiplotë e i patëmetë është Allahu!”) 33 herë dhe ta falënderoni Atë (Të thoni:“EL-ȞAMDU LIL-LAH / Falënderimi absolut i takon Allahut!”)33 herë. Kjo është për ju më mirë se shërbëtori.” (Transmeton El-Bukhari nr. 3705 dhe Muslimi nr. 2727)
Në një transmetim vjen: Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tha: “‘Nuk e lashë atë (dhikër) që kur e dëgjova nga Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).’ Iu tha: ‘As natën e (betejës së) Siffinit?’ Ai tha: ‘As natën e Siffinit.’” (Transmeton El-Bukhari nr. 5362 dhe Muslimi nr. 2727)
Dihet se në natën e Siffinit ka ndodhur një betejë në të cilën Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ishte komandant dhe megjithëkëtë ai nuk e la sunetin (traditën profetike) në fjalë.
3. Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e falte një xhenaze dhe pastaj largohej pa e përcjellë atë për në varreza, duke menduar se e tillë gjë ishte prej sunetit (traditës profetike). Ai nuk e dinte vlerën e transmetuar në lidhje me përcjelljen e xhenazes deri në varrosje. Kur degjoi hadithin e Ebi Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), u pikëllua për sunetin që kishte lënë. Ai e përsiati thellë atë që kishte bërë.
Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) goditi tokën me guralecët që kishte në dorën dhe pastaj tha: “Kemi lënë pas dore shumë male shpërblimesh.” (Transmeton El-Bukhari nr. 1324 dhe Muslimi me nr. 945).
En-Neueuiu ka thënë: “Në të (transmetimin në fjalë të Ibn Umerit) shprehet dëshira e sahabëve (shokëve të Profetit) për të kryer vepra të mira, për të cilat kishin dijeni; sikurse shprehet keqardhja e tyre për ato (vepra të mira) që u humbisnin, edhe pse nuk e kanë ditur pozitën e tyre madhështore.” (Shih: “El-Minhaxh” vëll. 7, fq. 15)
Prej fryteve të pasimit të sunetit
Vëlla i dashur! Pasimi i sunetit ka fryte të shumta, prej të cilave janë:
1. Njeriu fiton dashurinë e Allahut. Dashuria e Allahut të Lartmadhëruar fitohet duke u afruar tek Ai përmes nafileve (adhurimeve vullnetare).
Ibn El-Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Dashurinë e Allahut nuk e fiton vetëm nëse e pason të dashurin e Tij (Muhamedin) në aparencë dhe në brendësi, i beson plotësisht fjalëve të tij (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) , i bindesh urdhrave të tij, i përgjigjesh thirrjes së tij, i jep atij përparësi me vullnet e dëshirë. Për ty nuk vlen gjykimi i askujt para gjykimit të tij, as dashuria ndaj dikujt para dashurisë për të, as bindja ndaj tjetërkujt para bindjes ndaj tij. Përndryshe, mos u lodh kot dhe kthehu nga të duash të gjesh dritë, pasi nuk ke gjë (në vijë).” (Shih: “Medarixhu es-salikin” 3/37)
2. Njeriu është në shoqërinë (përkujdesin) e Allahut, i Cili i jep sukses për të bërë vepra të mira. Kështu ky rob bën vetëm vepra që e kënaqin Zotin e Lartmadhëruar, sepse Allahu kujdeset për të dhe e do.
3. Pranimi i lutjes. Allahu ia pranon lutjen atij që e do. Kush afrohet tek Allahu me nafile (adhurime vullnetare), e përfiton dashurinë e Tij; dhe kush e përfiton dashurinë Allahut, përfiton edhe pranimin e lutjes.
Argument për këto tre fryte është:
Hadithi (transmetimi) i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili thotë se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Me të vërtetë që Allahu ka thënë: “Unë i kam shpallur luftë atij që armiqësohet më të dashurin (uelijun) Tim. Robi Im nuk afrohet tek Unë me diçka më të dashur për Mua sesa ajo çfarë ia kam bërë farz (obligim). Robi Im vijon të më afrohet me nafile (adhurime vullnetare) derisa Unë ta dua. Pasi ta dua, jam Unë dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, vështrimi i tij me të cilin vështron, dora e tij me të cilën mëshon, këmba e tij me të cilën ecën. Atëhere, po më kërkoi, me siguri që do t’ia jap çfarë dëshiron; dhe po strehua tek Unë, medoemos do ta mbroj. Nuk jam luhatur në diçka që bëj, sesa atëherë kur do t’ia marr shpirtin besimtarit (nga mëshira e dhembshuria për të), i cili e urren vdekjen dhe Unë e urrej të keqen (vdekjen) e tij.’” (Transmeton El-Bukhari nr. 6502)
4. Riparimi i mangësisë së ndodhur në farze (adhurimet e obligueshme), duke qenë se nafilet (adhurimet vullnetare) i plotësojnë boshllëqet e farzeve.
Argument për këtë është:
Hadithi (transmetimi) i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili thotë se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Gjëja e parë për të cilën robi do të merret në llogari Ditën e Gjykimit, sa i përket punëve, është namazi. Nëse (namazi) është në rregull, (robi) shpëton dhe korr sukses. Nëse (namazi) është dëmtuar, (robi) dëshpërohet dhe humbet. Nëse në farze (namazit të obliguar) të ka ndonjë mangësi, Zoti i Lartmadhëruar thotë: ‘Shikoni a ka robi Im namaze vullnetare?’, dhe me to plotësohen farzet e mangëta. Më tej, kështu veprohet me të gjithë punët e tij.” (Transmeton Ahmedi nr. 9494, Ebu Daudi nr. 864 dhe Et-Tirmidhi nr. 413; Albani, në “Sahihu El-Xhami” vëll. 1, fq. 405 thotë se transmetimi është sahih/i vërtetë.)
Telefono
Me ne
Jemi të lumtur që marrim thirrjet dhe pyetjet tuaja në çdo kohë