languageIcon
search
search
beforeFajronColorIcon Sunetet periodike/ Koha para agimit ( Dhe numri i tyre 2 Kapitujt )
brightness_1 Prej sunetit është që namazi i natës të falet në kohën më të mirë

Nëse dikush pyet: Cila është koha më e mirë?

Përgjigjja: Dihet se koha e namazit të vitrit fillon që pas namazit të jacisë (darkës) dhe vazhdon deri në daljen (zbardhjen) e agimit, pra namazi i vitrit gjendet mes namazit të jacisë dhe atij të sabahut (agimit).

Argument për këtë është:

Hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), pas përfundimit të namazit të jacisë deri në agim, (brenda kësaj kohe) falte njëmbëdhjetë rekate, duke dhënë selam pas çdo dy rekateve dhe mbyllte namazin e natës me një rekat të vetëm (e falte vitrin një rekat).” (Transmeton El-Bukhari  nr. 2031 dhe Muslimi nr. 736)

- Sa i përket kohës më të mirë të namazit të natës, ajo është: një e treta e natës pas gjysmës së (parë të) saj.

Ideja është që njeriu ta ndajë natën në dy pjesë të barabarta. Pastaj gjysmën e dytë e ndan në tre pjesë dhe fal namaz nate në një të tretën e gjysmës së dytë; ndërsa në fundin e natës fle gjumë. Pra:  të falë namaz nate në 1/6 e katërt dhe të pestë (prej krejt natës) dhe të flejë në 1/6 e gjashtë (e fundit).

Argument për këtë është:

Hadithi i Abdullah ibn Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!), i cili thotë se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Agjërimi më i dashur tek Allahu është agjërimi i Daudit dhe namazi më i dashur tek Allahu është namazi i Daudit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!). Ai flinte gjysmën e natës, falte namaz nate një të tretën e saj (vijuese) dhe flinte një të gjashtën e saj. Ai një ditë agjëronte dhe një ditë nuk agjëronte.” (Transmeton El-Bukhari nr. 3420 dhe Muslimi  nr. 1159)

- Si mund ta llogaritë natën ai që dëshiron ta praktikojë këtë sunet?

E llogarit kohën prej perëndimit të diellit deri në daljen e agimit dhe pastaj e ndan në gjashtë pjesë, ku tre pjesët e para përbëjnë gjysmën e parë të natës. Pas kësaj ngrihet të falet, pra: ngrihet të falet në një të gjashtën e katërt dhe të pestë, pasi kjo konsiderohet një prej tre pjesëve (të natës). Pastaj, fle në një të gjashtën e fundit, që përbën një të gjashtën e gjashtë. Për këtë Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Atë (Profetin) nuk e ka gjetur koha e syfyrit (pjesa e fundit e natës – koha para agimit) tek unë, përveçse në gjumë.” (Transmeton El-Bukhari  nr. 1133 dhe Muslimi  nr. 742)

Në këtë mënyrë muslimani e gjen dhe pastaj e shfrytëzon kohën më të mirë për të falur namazin e natës, siç ka ardhur tek hadithi i mëparshëm i Abullah ibn Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!).

Koha më e preferuar (nga tre nivelet, sipas ndarjes kohore) kur mund të falet namazi i natës:

Në mënyrë të përmbledhur mund të themi: tre janë nivelet (sipas ndarjes kohore), kur preferohet që muslimani ta falë namazin e natës:

Niveli i parë: të flejë në gjysmën e parë të natës, pastaj të ngrihet të falet në një të tretën dhe pastaj të flejë në një të gjashtën – siç u cek më parë .

Argument për këtë është hadithi i Abdullah ibn Amër ibn El-A’sit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!), që u përmend pak më parë.

Niveli i dytë: Të ngrihet të falet natën në një të tretën e fundit të saj.

Argument për këtë është:

Hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), ka thënë: “Zoti ynë i Lartmadhëruar zbret në qiellin e dynjasë (siç i takon madhështisë së Tij) çdo natë, atëhere kur mbetet një e treta e fundit e saj dhe thotë: ‘A ka ndonjë që më lutet, e Unë t’i përgjigjem? A ka ndonjë që më kërkon, e Unë t’ia jap? A ka ndonjë që kërkon falje nga Unë, e ta fal atë?’” (Transmeton El-Bukhari nr. 1145 dhe Muslimi  nr. 758) Në po këtë kontekst është edhe hadithi i Xhabirit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili do të vijë. 

Por,nëse muslimani druhet se nuk ka për t’u ngritur që të falet në fund tënatës, le të falet në fillim të saj ose në çdo pjesë të natës që e ka të lehtë. Ky është niveli tretë.

Niveli i tretë: Të falet në fillim të natës ose në atë pjesë të saj që e ka të lehtë.

Argument për këtë është:

Hadithi i Xhabirit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë:“Kush druhet se nuk do të ngrihet të falet në fund të natës, le ta falë vitrin në fillimin të saj. Kush shpreson që të ngrihet të falet në fundin e natës, le ta falë vitrin në të, sepse namazi në fund të natës është i dëshmuar (në të janë të pranishëm engjëjt e mëshirës). Dhe kjo është më mirë.” (Transmeton Muslimi nr. 755)

Po në këtë kontekst vjen edhe porosia e Profetit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) për Ebu Dherrin. (Transmeton En-Nesai në “Es-Sunenu el-kubra”, nr. 2712; Albani në “Es-Sahih” nr. 2166 thotë se transmetimi është sahih / i vërtetë.)

Gjithashtu ka transmetime që tregojnë se ka porositur Ebu Derdain. (Transmeton Ahmedi nr. 27481 dhe Ebu Daudi nr. 1433; Albani në “Sahihu Ebu Daud” vëll. 5, fq. 177, thotë se transmetimi është sahih / i vërtetë.)

Sikurse ka një transmetim që tregon se e ka porositur Ebu Hurejrën (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!). (Transmeton Muslimi nr.737)

 Çdonjëri prej të lartpërmendurve thotë: “Më ka porositur miku im i ngushtë për tre (gjëra)”, - dhe përmend se prej këtyre porosive është: “… që ta fal vitrin para se të fle.”

brightness_1 Prej sunetit është që të thuhen lutjet hyrëse në namazin e natës të transmetuara në hadithet e sakta, prej të cilave janë:

a. Ajo që është transmetuar në Sahihun e Muslimit nga hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) falte namazin e natës, e niste me lutjen:

اللَّهُمَّ رَبَّ جَبْرَائِيلَ وَمِيكَائِيلَ وَإِسْرَافِيلَ , فَاطِرَ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ، عَالِمَ الْغَيْبِ وَالشَّهَادَةِ , أَنْتَ تَحْكُمُ بَيْنَ عِبَادِكَ فِيمَا كَانُوا فِيهِ يَخْتَلِفُونَ, اهْدِنِي لِمَا اخْتُلِفَ فِيهِ مِنَ الْحَقِّ بِإِذْنِكَ إِنَّكَ تَهْدِي مَنْ تَشَاءُ إِلَى صِرَاطٍ مُسْتَقِيم

ALL-LLAHUM-ME RAB-BE XHEBRAILE UE MIKAILE UE ISRAFILE, FAŤIRAS-SEMAUATI UEL ERĎI, ĂLIMUL GAJBI UESH-SHEHADETI, ENTE TEȞKUMU BEJNE ĬBADIKE FIMA KANU FIHI JEKHTELIFUNE, IHDINI LIMA-KHTULIFE FIHI MINEL-ȞAǨ-ǨI BI IDHNIKE, IN-NEKE TEHDI MEN TESHAU ILE ŠIRAŤIL MUSTEǨIM.

 O Allah, Zoti i Xhebrailit, Mikailit dhe Israfilit! Krijuesi i qiejve dhe i tokës! Njohësi i së fshehtës dhe i së dukshmes! Ti gjykon mes robërve të Tu për mospajtimet që ata kanë! Më udhëzo me mëshirën Tënde, në të drejtën, në çështjet ku njerëzit kanë kundërshtime, sepse, vërtet Ti e udhëzon atë që do në Rrugën e Drejtë.” (Transmeton Muslimi nr. 770)

b. Ajo që është transmetuar në Es-Sahihani (Sahihu i Bukhariut dhe Sahihu i Muslimit) nga hadithi i ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!), i cili ka thënë: “Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) , kur falej natën (pas gjumit), thoshte:

اللَّهُمَّ لَكَ الْحَمْدُ أَنْتَ نُورُ السَّمَوَاتِ وَالْأَرْضِ , وَلَكَ الْحَمْدُ أَنْتَ قَيِّمُ السَّمَوَاتِ وَالْأَرْضِ , وَلَكَ الْحَمْدُ أَنْتَ رَبُّ السَّمَوَاتِ وَالْأَرْضِ وَمَنْ فِيهِنَّ, أَنْتَ الْحَقُّ ,وَوَعْدُكَ الْحَقُّ , وَقَوْلُكَ الْحَقُّ , وَلِقَاؤُكَ الْحَقُّ , وَالْجَنَّةُ حَقٌّ , وَالنَّارُ حَقٌّ , وَالنَّبِيُّونَ حَقٌّ , وَالسَّاعَةُ حَقٌّ, اللَّهُمَّ لَكَ أَسْلَمْتُ, وَبِكَ آمَنْتُ, وَعَلَيْكَ تَوَكَّلْتُ, وَإِلَيْكَ أَنَبْتُ, وَبِكَ خَاصَمْتُ, وَإِلَيْكَ حَاكَمْتُ, فَاغْفِرْ لِي مَا قَدَّمْتُ, وَمَا أَخَّرْتُ وَمَا أَسْرَرْتُ وَمَا أَعْلَنْتُ أَنْتَ إِلَهِي لَا إِلَهَ إِلَّا أَنْتَ

ALL-LLAHUM-ME LEKEL  ȞAMDU ENTE NURUS-SEMAUATI UEL ERĎ, UE LEKEL ȞAMDU ENTE ǨAJ-JIMUS-SEMAUATI UEL ERĎ, UE LEKEL ȞAMDU ENTE RAB-BUS-SEMAUATI UEL ERĎI UE MEN FIIHIN-NE, ENTEL ȞAǨ-ǨU, UE UEĂDUKEL ȞAǨ-ǨU, UE ǨAULUKEL ȞAǨ-ǨU, UE LIǨAUKEL ȞAǨ-ǨU, UEL-XHEN-NETU ȞAǨ-ǨUN, UEN-NARU ȞAǨ-ǨUN, UEN-NEBIJ-JUUNE ȞAǨ-ǨUN, UES-SEĂTU ȞAǨ-ǨUN. ALL-LLAAHUM-ME LEKE ESLEMTU, UE BIKE EMENTU, UE ĂLEJKE TEUEK-KELTU, UE ILEJKE ENEBTU, UE BIKE KHAŠAMTU, UE ILEJKE ȞAKEMTU, FEGFIRLI MA ǨAD-DEMTU UE MA EKH-KHERTU, UE MA ESRERTU UE MA EĂLENTU, ENTE ILAHI LA ILAHE IL-LA ENTE.

O Allah, Vetëm Ty të takon falënderimi! Ti je ndriçuesi i qiejve dhe i Tokës dhei gjithçkaje që gjendet midis tyre! Vetëm Ty të takon lavdia e falënderimi! Ti je mbajtësi i qiejve dhe Tokës e çfarë ka mes tyre! Vetëm Ty të takon lavdia e falënderimi! Ti je Zoti i qiejve e Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre! Ti je i Vërteti. Premtimi Yt është i vërtetë, fjala Jote është e vërtetë, takimi me Ty është i vërtetë, Xheneti është i vërtetë, Zjarri (Xhehenemi) është i vërtetë, profetët (Muhamedi dhe të gjithë profetët e Zotit (Paqja qoftë mbi ta!) janë të vërtetë, Dita e Gjykimit është e vërtetë! O Allah, Ty të jam dorëzuar, Ty të besoj, vetëm tek Ti mbështetem, tek Ti kthehem, me ndihmën Tënde ndeshem me kundërshtarët dhe me gjykimin Tënd gjykoj! M’i fal gabimet e mëparshme dhe të tashmet, ato që i kam bërë fshehurazi dhe haptazi. Ti je i Adhuruari im, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Teje.’” (Transmeton Bukhariu  nr. 7499 dhe Muslimi nr. 768)

brightness_1 Të bëjë sunetet e transmetuara lidhur me leximin e Kuranit gjatë namazit të natës, prej të cilave janë:

a. Të lexojë avash (gërmë për gërmë e duke medituar), në kuptimin që: të mos lexojë “shkel e shko” (pa i kushtuar vëmendje e pa përgjegjësi) apo shumë shpejt, nxitimthi.

b. Gjatë namazit ta lexojë Kuranin ajet pas ajeti, në kuptimin që: të mos lexojë pa pushim, duke i lexuar dy apo tre ajete bashkë, pa i ndërprerë, por të qëndrojë tek çdo ajet.

c. Nëse kalon nëpër një ajet në të cilin i bëhet TESBIȞ Allahut (lavdërohet Allahu), atëherë edhe lexuesi i Kuranit gjatë namazit bën tesbih; nëse kalon tek një ajet që ka lutje, edhe ai lutet; nëse kalon tek një ajet ku kërkohet mbrojtje prej Allahut nga shejtani i mallkuar, atëherë edhe lexuesi i Kuranit gjatë namazit bën të njëjtën gjë.

Argument për këtë është:

Hadithi i mëparshëm i Hudhejfes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që thotë: “U fala një natë me Profetin (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), i cili nisi të lexojë suren “El-Bekare”. Unë thashë: ‘Ka për të rënë në ruku kur të lexojë njëqind (ajetet e para të saj), por ai (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) vijoi.’ Unë thashë: ‘Ka për ta falur me të (me krejt suren “El-Bekare”) rekatin (me një pjesë të saj rekatin e parë dhe pjesën tjetër rekatin e dytë); ndërkaq ai (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) vijoi.’ Unë thashë: ‘Ka për të rënë në ruku, kur ta përfundojë atë (do ta lexojë të gjithën në rekatin e pare); ndërkaq ai (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) vijoi.’ Pastaj e nisi suren“En-Nisa”, duke e lexuar (të tërën) dhe më tej vazhdoi me suren“Al Imran”, duke e lexuar (të tërën). Lexonte avash-avash (gërmë për gërmë e duke medituar). Kur kalonte nëpër ndonjë ajet në të cilin i bëhet TESBIȞ Allahut (lavdërohet Allahu), edhe ai (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) bënte tesbih; kur kalonte në ndonjë ajet që ka lutje, edhe ai (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) lutej; kur kalonte në ndonjë ajet ku kërkohet mbrojtje prej Allahut nga shejtani i mallkuar, edhe ai (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) bënte të njëjtën gjë. Pastaj binte në ruku dhe thoshte:

سُبْحَانَ رَبِّيَ الْعَظِيمِ

‘SUBȞANE RAB-BIJEL ĂĎȞIM!

 I Lavdishëm (e i patëmetë) është Zoti im i Madhërishëm!’; rukuja e tij ishte afërsisht sa qëndriminë këmbë. Më pas thoshte:

سَمعَ الله لِمَنْ حَمِدَهُ

 ‘SEMIĂLL-LAHU LIMEN ȞAMIDEH!

 Allahu e pranon falënderimin e lavdërimin e atij që e falënderon dhe e lavdëron!’ Pastaj qëndronte gjatë kur ngrihej nga rukuja, përafërsisht sa qëndrimi në ruku; e pastaj binte në sexhde dhe thoshte:

سُبْحَانَ رَبِّيَ الأَعْلَى

 ‘SUBȞANE RAB-BIJEL EĂLA!

 I Lavdishëm (e i patëmetë) është Zoti im më i Lartësuari!’ Sexhdja e tijdhe po kështu edhe qëndrimi mes dy sexhdeve) ishte e përafërsisht sa qëndrimi më këmbë kur ngrihej nga rukuja.”(Transmeton Muslimi  nr. 772)

Po kështu argument tjetër është transmetimi i imam Ahmedit, në (veprën e tij) “El-Musned”:Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!)  kur u pyet për leximin e Kuranit të të Dërguarit të Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) , tha: “Ai e lexonte  Kuranin ajet pas ajeti me pauza:

{بِسْمِ الله الرَّحْمنِ الرَّحِيمِ  الحَمْدُ لله رَبِّ الْعَالَمِينَ  الرَّحْمنِ الرَّحِيمِ  مَالِكِ يَوْمِ الدِّيِنِ }

BISMIL-LAHIR-RAȞMANIR-RAȞIM(pushim i shkurtër). EL-ȞAMDU LIL-LAHI RAB-BIL ĂLEMIN(pushim i shkurtër). ER-RAȞMAANIR-RAȞIIM (pushim i shkurtër). MALIKI JEUMID-DIN.” (Transmeton Ahmedi  nr. 26583; Ed-Darkutni  nr. 118, i cili thotë: “Zinxhiri i transmetimit është sahih / i vërtetë dhe të gjithë transmetuesit janë të besueshëm.”; En-Neueui, në veprën “El-Mexhmu’u” vëll. 3, fq. 333, thotë se transmetimi është sahih / i vërtetë.)

brightness_1 Prej sunetit është që kur të falet vitri, herë-herë të lexohet duaja (lutja) e kunutit

Kuptimi (i kunutit) këtu është: duaja (lutja) që lexohet në rekatin e tretë, ku lexohet surja “El-Ikhlas” (ǨUL HUALL-LLAHU EȞAD).

Prej sunetit është që duaja e kunutit në namazin e vitrit mos lexohet gjithmonë; bazuar në transmetime të sakta prej sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!), të cilët ndonjëherë e kanë lexuar dhe ndonjëherë jo. Këtë përzgjedhje ka bërë dhe dijetari i madh i Islamit, Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!). Ndërkaq, është më mirë që duaja e kunutit të lexohet rrallë.

Çështje: A ngrihen duart në duanë e kunutit në namazin e vitrit?

Sipas mendimit më të saktë: duart duhet të ngrihen. Ky është mendimi e shumicës së juristëve muslimanë (Allahu i mëshiroftë!), të cilët argumentohen me veprimin e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Hadithi gjendet tek Bejhakiu, i cili e ka konsideruar (transmetim) sahih / të vërtetë.

Bejhakiu  (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Një pjesë e sahabëve (shokët e Profetit, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!) i kanë ngritur duart në gjatë duasë së kunutit.”(Shih: “Es-Sunen el-kubra” vëll. 2, fq. 211)

Çështje: Me çfarë fillohet kunuti i vitrit?

Mendimi më i fuqishëm – Allahu e di më mirë! – është se, fillohet me falënderimin e Allahut (EL-ȞAMDU LIL-LAH) dhe lavdërimin  Tij (ETH-THENAU ALEJI), pastaj dërgohet salavat për Profetin (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) dhe pastaj bëhet lutje; pasi kjo formë e kunutit është më e mundshme që të pranohet.

Argument për këtë është:

Hadithi i Fadale ibn Ubejdit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: “Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) dëgjoi një burrë  të bënte dua (lutje) në namazin e vet, pa dërguar salavat mbi Profetin (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) . Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) tha: ‘U nxitua ky.’ Pas kësaj e thirri dhe i tha atij dhe të tjerëve: ‘Kur dikush prej jush të falet, le të fillojë me falënderimin e Allahut dhe lavdërimin e Tij; pastaj le të dërgojë salavat mbi Profetin dhe më pas le të lutet për çfarë të dojë.’” (Transmeton Et-Tirmidhi nr. 3477, i cili ka thënë: “Ky hadith është hasen sahih / i mirë dhe i vërtetë.”)

Ibn El-Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Është e pëlqyeshme që lutësi ta fillojë lutjen me falënderimin e Allahut dhe lavdërimin e Tij, para se të shprehë nevojat e tij. Pastaj paraqet kërkesat e tij, si në hadithin e Fadale ibn Ubejdit.” (Shih: “El-Uabil es-sajib” fq. 110)

Çështje: A fshihet fytyra (me duart) pas lutjes së kunutit?

Sipas mendimit më të saktë: nuk është sunet (nuk është e pëlqyeshme) që të fshihet fytyra pas mbarimit të lutjes, pasi nuk ka argument të saktë për këtë.

Kur imam Maliku  (Allahu e mëshiroftë!) u pyet për një burrë që fshin fytyrën  teksa bën lutje, ai (Maliku) e refuzoi këtë veprim dhe tha: “Nuk di  të ketë argument për këtë. ” (Shih: librin“Vitri” nga El-Meruazi fq. 236)

Dijetari i madh i Islamit, Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Sa i përket fshirjes së fytyrës me dy duart: nuk ka ndonjë hadith të saktë; kemi një apo dy hadithe të dobëta, të cilat nuk konsiderohen argument.” (Shih: “El-Fetava” vëll. 22, fq. 519)

brightness_1 Prej sunetit është të veprohet në namazin e natës çfarë është më e lehtë

Prej sunetit është të veprohet në namazin e natës çfarë është më e lehtë, me qëllim përulësia e frikërespekti gjatë namazit të jenë maksimale.

- Nëse ndjen plogështi, le të falet ulur.

Bazohet në hadithin e Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) hyri në xhami. Ai (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) gjeti një litar të lidhur mes dy shtyllave (anësore të xhamisë) dhe tha: ‘Çfarë është ky?’ I thanë: Është (litari) i Zejnebit; e përdor kur falet. Në momentin që lodhet dhe ndjen plogështi, mbahet tek ai. Ai (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) tha: ‘Zgjidheni! Ndonjëri prej jush le të falet, kur është në gjendje aktive. Ndërsa kur lodhet e ndjen plogështi, le të ulet.” (Transmeton El-Bukhari  nr. 1150 dhe Muslimi  nr. 784)

- Kur është përgjumësh, le të flejë. Në mënyrë që kur të çohet nga gjumi, të jetë aktiv dhe i mbushur me energji. Pastaj le të falet.

Bazohet në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila na tregon Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju përgjumet në namaz, le të flejë derisa t’i ikë gjumi. Mund të ndodhë që dikush nga ju, kur falet i përgjumur, në vend që të kërkojë falje (të lutet), shan veten e tij (lutet kundër vetes pa e ditur).” (Transmeton El-Bukhari nr. 212 dhe Muslimi nr. 786)

- Kur përgjumet, teksa po lexon Kuran, prej sunetit është të flejë. Në mënyrë që të forcohet e të mbushet me energji.

Bazohet në hadithin e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se i Dërguari i Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Nëse ndonjërit prej jush kur falet natën, i vështirësohet leximi i Kuranit, saqë nuk e di se çfarë po thotë, le të shtrihet (të flejë).” (Transmeton Muslimi nr. 787)